Në Kategorinë | Administrative, Video

Avokati i Popullit të Meksikës mirënjohje Konsullit Ndroqi

Postuar në 07 September 2016 nga Web Master

Forcimi i marrëdhënieve Shqipëri-Meksikë, falë rolit të Konsullatës së Nderit në Tiranë drejtuar nga zoti Ylli Ndroqi ishte në qendër të takimit mes Konsullit dhe Avokatit të Popullit të Meksikës.  Luis Raul Gonzales Peres vlerësoi veçanërisht pasionin dhe dashurinë me të cilin Konsulli i Nderit ndihmon Meksikën dhe çdo mekikan që ka nevojë për mbështetjen e tij.

Konsulli i Nderit  të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Tiranë, z. Ylli Ndroqi priti në takim Avokatin e Popullit të Meksikës, Luis Raul Gonzales Perez, një nga personalitetet më të njohura në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendin e tij.

Gjatë takimit të përzemërt në ambientet e Konsullatës, z. Ndroqi e njohu delegacionin meksikan me rëndësinë që ka pasur bashkëpunimi diplomatik në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Meksikës dhe fuqizimin e bashkëpunimit në çdo sektor me rëndësi për të dy kombet.

Konsulli i Nderit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës u shpreh se do të vijojë me përkushtim angazhimin e tij dhe ndihmën konkrete për çdo qytetar meksikan në Shqipëri.

Ylli Ndroqi: Jam munduar që çdo qytetar meksikan ta shikoj si pjesë të familjes sime, kam bërë detyrën e një Avokati të Popullit siç jeni dhe ju sot këtu. I kam mbrojtur me një pasion të jashtëzakonshëm dhe të garantoj si Avokat i Popullit i Shteteve të Bashkuara të Meksikës do ta bëj këtë punë me sinqeritet, me një emocion dhe dashuri për Meksikën. Kam mbuluar të gjithë problemet e qytetarëve meksikanë që kanë pasur në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri. Pavarësisht se unë përfaqësoj vetëm Shqipërinë.

Duke vlerësuar kontributin dhe çmuar nivelin e bashkëpunimit, Avokati i Popullit të Meksikës, Luis Raul Gonzales Perez foli mbi rëndësinë e marrëdhënieve të mira institucionale mes përfaqësuesve diplomatikë nëpër botë dhe Avokatit të Popullit dhe me këtë rast falenderoi zotin Ndroqi për punën e shkëlqyer të Konsullatës në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me qytetarët meksikanë.

Luis Raul Gonzales: Puna që ju bëni si Konsull Nderi për të përçuar nderin e Meksikës në Shqipëri, por edhe në rajon për ta njohur më tepër është për tu vlerësuar. Për ne si Avokatë të Popullit, Konsujt e Nderit janë aleatët më të rëndësishëm dhe që janë në kontakt të drejpërdrejtë me qytetarët tanë në çdo vend të botës.

Avokati i Popullit Shqiptar, Igli Totozani, i pranishëm në takim zgjodhi të diskutonte në ambjentet e Konsullatës së Nderit të Meksikës nivelin e shkëlqyer te marrëdhënieve mes dy vendeve.

Igli Totozani: Po mendoja se çfarë duhet të bënim diçka të veçantë. Atëherë thashë duhet ti bëjmë një surprizë, ti çojmë pak tokë meksikane këtu në Shqipëri. Është bukur dhe emocionuese që një njeri të shohë flamurin e vendit të tij aty ku nuk ia merr mendja ndoshta që të shohë.

Për TV Ora News, Avokati i Popullit meksikan Luis Raul Gonzales Perez pohoi se u ndje si në shtëpinë e tij gjatë këtij takimi.

Luis Raul Gonzales Perez: Ka qenë nder për mua të njoh Konsullin e Meksikës në Shqipëri. Ky takim më la një përshtypje të veçantë për faktin se si Konsulli i Nderit ka një pasion për Meksikën, por edhe një interes për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Sëbashku me Avokatë të tjerë të Popullit nga e gjithë bota, Luis Raul Gonzales Perez ndodhet në Tiranë me ftesë të homologut shqiptar Igli Totozani, për të marrë pjesë në një konferencë dy ditore të nivelit të lartë mbi krizën e emigracionit.