Në Kategorinë | Administrative, Video

Çelet Konsullata e Pakistanit, angazhim për forcim të bashkëpunimit

Postuar në 16 March 2016 nga Web Master

Shqipëria dhe Pakistani, tashmë do të kenë dy ura të forta komunikimi, për të forcuar bashkëpunimin mes tyre.

Këtë të martë, autoritetet shqiptare kanë pranuar letrat kredenciale të Nadim Rijaz si ambasador jo reziden i Pakistanit në Shqipëri, por është çelur edhe Konsullata e Nderit të Pakistanit në Shqipëri, që do të përfaqësohet nga Sejhan Penxhablegil.

Konsulli i nderit, Sejhan Penxhablegil, i cili ka një origjinë të hershme nga Mitrovica e Kosovës, ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë. Ai ka shtetësi shqiptare, dhe është një emër i njohur nga bota e biznesit në vendin tonë.

Bashkëpunimi ekonomik, por edhe politik, ishin shtyllat kryesore mbi të cilin ai bazoi punën që e pret në konsulltatën e nderit në Tiranë.

Sejhan Penxhablegil: “Disa besoj e dinë se gjyshi nga nëna është me origjinë nga Mitrovica ndërsa gjyshi nga babai është nga Panxhati, një vend në Pakistan. Kjo per t’ju treguar se jam i lidhur me shqiptarët. Sa i përket detyres sime, me sa mundem do përpiqem të forcoj marrëdhëniet ekonomike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Pakistanit.”

Edhe ambasadori Nadim Rijaz, vuri theksin tek lidhjet ekonomike, politike e kulturore mes vendeve . Ai tha se për Pakistanin ka sot një imazh shumë të keq në botë, por shprehu bindjen se fundi i vitit do ta shohë vendin e tij të ndarë nga kërcënimi terrorist.

Nadim Rijaz:“Fatkeqësisht sot ka një imazh që e lidh Pakistanin me terrorizmin dhe ekstremizmin. Por kur të shkoni në Pakistan, ju dashuroheni me atë vend. Pakistani është një shtet pararojë në luftën ndaj ekstremizmit, por kjo betejë nuk fitohet vetëm. Shpresojmë që deri në fund të vitit, Pakistani të çlirohet nga kërcënimi terrorist”.

ZV. Ministri i Jashtëm Selim Belorataja, vlerësoi hapjen e konsulltatë së Pakistanit në Tiranë.

Selim Belortaja: “Këtu është fjala për realizimin  e një potenciali ekonomik dhe tregtar ende të fjetur mes Shqipërisë dhe vendit të 6 në botë sa i përket popullsisë. Tregtia, energjia, bujësia, kapacitetet  prodhuese etj., janë fusha që mirëpresin nisma”.

Pakistani është një vend me 190 milionë banorë dhe ka shënuar një rritje ekonomike prej 2.2 përqind.