Në Kategorinë | Administrative, Video

Konsujt e Nderit mblidhen në Romë, Presidenti Nieto porosi për të bashkëpunuar me Tiranën

Postuar në 18 June 2016 nga Web Master

Në ambientet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Romë, u mbajt konferenca e konsujve të Nderit të Meksikës, të Shqipërisë, Italisë, Maltës, dhe San Marinos.

Ambasadori i emëruar rishtazi në Itali, Juan Jose Guerra Abud, mikpriti konsullin e nderit të Meksikës në Shqipëri, z.Ylli Ndroqi, duke e konsideruar një mik të madh dhe nder për Meksikën që përfaqësohet prej tij.

Konferenca kishte për qëllim t’i njihte konsujt e nderit me reformat më të fundit të ndërrmarra nga Presidenti i Meksikës Enrique Peña Nieto dhe zhvillimet në fushat me interes në punën e tyre, si promotorë të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në botë.

Puna e konsujve të nderit vlerësohet me një rëndësi të veçantë dhe siç u shpreh Ambasadori Guerra Abud, ata janë ura unike e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve.

Konsullata e Meksikës në Tiranë, ishte ndër më të vlerësuarat në fjalimet e përfaqësuesve të shtetit meksikan të mbajtura gjatë konferencës. Veçanërisht, konsulli Ylli Ndroqi u përgëzua për kontributin e çmuar gjatë këtyre 4 viteve, si një konsullatë që falë përkushtimit dhe angazhimit serioz ja ka dalë të tejkalojë atributet e një konsullate nderi, duke u kthyer në një partner i shkëlqyer i Meksikës në Shqipëri

Si zv/ambasadori Gabriel Rosenzëeig, ashtu edhe Konsulli i Meksikës në Romë, Gustavo Martinez Cianca si dhe Oscar Camaccho drejtues i zyrës ProMexico për bashkëpunimin ekonomik, në prezantimet e tyre veçuan konsullatën në Shqipëri si një shembull i bashkëpunimit frytdhënës në fushat e diplomacisë, shërbimeve konsullore, bashkëpunimit ekonomik dhe promovimit të turistik dhe kulturor.

Në fjalën e tij Konsulli i Nderit i Meksikës në Shqipëri z.Ndroqi, i njohu të pranishmit me punën intensive të bërë për të lehtësuar lëvizjen e lirë mes dy vendeve, mbrojtjen e të drejtave të shtetasve meksikanë në Shqipëri, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional mes dy vendeve si dhe promovimin e kulturës dhe turizmit.

Në vitet e fundit, Meksika është shndërruar në një nga kryeqendrat e turizimit botëror, me një gërshtetim të suksesshëm mes trashëgimisë kulturore, natyrës, bregdetit dhe shërbimeve turistike.Në 2014 Meksika është vizituar nga 20 milionë turistë të huaj dhe sipas Organizatës Botërore të Turizmit, është një nga destinacionet kryesore më të vizituara nga Amerikës Latine dhe vendi i 10 në botë më i vizituar nga turistët.

Impakti i reformave të ndërrmara së fundmi ka ndikuar ndjeshëm në rritjen ekonomike duke u renditur e para në Amerikën Latine dhe e 15 në nivel botëror.

Ambasadori i Meksikës në Itali Guerra Abud përsëriti vlerësimet për Konsullin e Nderit të Meksikës në Shqipëri, z. Ylli Ndroqi dhe shprehu interesin e lartë për vizitën e shpejtë në Tiranë.

“Qëllimi i kësaj konference ishte njohja e pjesëmarrësve me rrugën e reformave të shumta që ka ndërmarrë Meksika nën drejtimin e Presidentit Enriko Pena Nieto, reforma strukturale, të ekonomisë e tregtisë”, u shpreh Ambasadori.

Konferenca shërbeu për të informuar dhe njohur më mirë Konsujt e Nderit të Meksikës mbi situatën aktuale në Meksikë dhe rrugën e mbarë të reformave të ndërmarra.

“Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Konsullin e Nderit të Meksikës në Shqipëri e jemi mjaft të nderuar nga mënyra se si ai na përfaqëson. Personalisht kam një rekomandim të posacëm nga Presidenti i Meksikës z. Enriko Pena Nieta për të diskutuar në mënyrë të vecantë me Konsujt e Nderit të Meksikës mbi mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, kulturor e turistik me këto vende. Shpresoj që së shpejti do të ndodhem në Shqipëri për të paraqitur letrat kredenciale si Ambasador i Meksikës për Shqipërinë, detyrë kjo që më është besuar nga Presidenti i vendit. Z.Nieto. Së bashku me Konsullin e Nderit në Meksikë Z. Ylli Ndroqi,do të analizojmë politikat më të mira të mundshme për të rritur bashkëpunimin ekonomik, kulturor e turistik me Shqipërinë”, pohoi Ambasadori Guerra Abud.

Z.Ndroqi u shpreh: Prej gati 4 vitesh jam Konsull i Nderit i Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur një koordinim të jashtëzakonshëm të punës mes Ambasadës së Meksikës në Romë e Shqipërisë. Kemi bashkëpunuar fort e kemi punuar mjaft në fushën e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike. Kemi mbështetur jashtëzakonisht qytetarët meksikanë që vizitojnë Shqipërinë e i kemi ndihmuar në praktikat e tyre të vizave apo pasaportave, punë kjo e kryer në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Meksikës në Romë si përfaqësuese e shtetit të Meksikës dhe Konsullatës tonë të Meksikës në Tiranë. Bashkëpunimi me Ambasadorin e Meksikës ka qënë mjaft i mirë e do të vijë duke u forcuar në të ardhmen pasi gjithnjë e më i lartë është numri i turistëve meksikanë që vizitojnë Shqipërinë ashtu si dhe numri i turistëve shqiptarë që vizitojnë Meksikën, i cili është një vend me një turizëm bregdetar e kulturor të rrallë.

Në intervistën për korrespondenten e Ora News në Romë, Alba Kepi z. Oscar Camacho, kreu i zyrës Promexico në Milano, u shpreh se;

Shqipëria është një pjesë e rëndësishme në strategjinë e punës tonë, pasi është një urë lidhëse me vendet e Ballkanit. Nga këndvështrimi strategjik e konsiderojmë Shqipërinë si një vend ku duhet të forcojmë praninë e sipërmarrjes meksikane si në infrastrukturë ashtu dhe në projekte të tjera të përbashkëta, që mund ta përforcojnë raportin me këtë vend. Duhet të përfitojmë më shumë dhe nga mundësia që kemi me bashkëpunimin e Konsullit të Nderit të Meksikës në Shqipëri z. Ndroqi për të shtuar ndërveprimin kulturor. Po punojmë të sjellim në televizionet shqiptare disa telenovela meksikane që do të shërbejë për të njohur më mirë kulturën e artin meksikan. Gjithashtu po punojmë me Konsullatën e Meksikës në Tiranë për të shtuar bashkëpunimin tregtar mes Shqipërisë e Meksikës si dhe për të njohur më mirë disa produkte karakteristike meksikane si dhe investime të tjera në fushën e industrisë së rëndë dhe energjisë së rinovueshme. Konsullata jonë e Meksikës në Tiranë luan një rol mjaft të rëndësishëm për të qënë më pranë sipërmarrësve shqiptarë”

Meksika është një vend i pasur jo vetëm me burime natyrore, por edhe me gastronomi të spikatur, me anë të së cilës meksikanët përqafësohen nëpër botë. Dreka e punës me Konsujt e Nderit edhe pse u organizua në Romë, solli aromat e veçanta meksikane.

Vizita në galerinë e arteve të Romës i njohu të ftuarit me punime të artistit meksikan Sergio Hernandez, figurë e njohur e artit modern, punimet e të cilit në bashkëpunim me Konsullatën e Meksikës në Shqipëri, mund të ekspozohen edhe në Tiranë.

Një urë direkte bashkëpunimi janë dhe fluturimet në Mexico City nga Kryeqyteti italian Romë, për të cilat Ambasada meksikane organizoi një festë inaguruese në përfundim të konferencës me Konsujt e Nderit.

Prania e Presidentit të Alitalia-s Luca Cordero di Montezemolo ishte tregues i rëndësisë që kjo kompani i jep lidhjes direkte me vendin e 10të më të vizituar në botë, Meksikën.

Por edhe Shqipëria, ka gjetur mënyrën për të lënë gjurmë te Montezemolo, i cili e shfrytëzoi takimin me Konsullin e Nderit të Shqipërisë, z.Ndroqi për t’i përcjellë admirimin e tij për një mik të veçantë siç është trajneri i kombëtares Gianni De Biasi.

Dhe si gjithmonë kur ka festë meksikane nuk mungojnë Mariachit, muzikantët popullorë që me ritmet e tyre të veçanta sollën një atmosferë të gëzueshme. Këngët dhe vallet tradicionale kurorëzuan me nota të bukura feste mbylljen e punimeve të konferencës me konsujt e nderit të Meksikës në botë.