Në Kategorinë | Administrative, Video

Në ditën e pavarësisë, promovohet libri “Historia e Lituanisë”

Postuar në 16 March 2016 nga Web Master

Dita e pavarësisë së Lituanisë u festua edhe në Tiranë, në një aktivitet të organizuar nga Ambasada lituaneze.

Në prani të trupit diplomatik dhe konsujve të nderit, Ambasadori i Lituanisë, shfrytëzoi këtë ditë për të prezantuar librin “Historia e Lituanisë”, i përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Për mikrofonin e Ora News, Ambasadori Alfonsas Eidintas vlerësoi kontributin dhe rolin e Konsullit të Nderit të lituanisë në shqipëri, kastriot haska.

“Jam shumë i lumtur që po festojmë ditën e pavarësisë së Lituanisë. Kemi mundësinë që të prezantojmë historinë e Lituanisë në gjuhën shqipe. Ishte Konsulli ynë i nderit, Kastriot Haskaj ai që organizoi gjithçka për këtë libër”.

Në shenjë mirënjohjeje, Konsulli i Ndërit i Lituanisë, u vlerësua me medalje nderi.

Haskaj: Jam shumë i lumtur që marr këtë medalje nga zyrtarë të lartë të Lituanisë. Faleminderit Ambasador, unë do vijoj të bëj më të mirën time me të gjitha forcat për të çuar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Lituanisë në të ardhmen.

Ambasadori Eidintas u ndal edhe te marrëdhëniet mes vendeve, duke u shprehur se ka ende shumë për tu bërë, në aspektin e bashkëpunimit ekonomik.

“Mendoj se kemi një fillim të mirë, por vendet tona nuk dinë mjaftueshëm për njëri-tjetrin. Ajo që propozojmë të bëjmë është të punojmë në fushën e turizmit. Bizneset lituanese të shohin mundësitë që ofron Shqipëria dhe anasjelltas”.

Dita e pavarësisë së Lituanisë festohet çdo 11 mars, që prej vitit 1990, kur Sovjeti Suprem i Lituanisë rimori pavarësinë.