Në Kategorinë | Administrative, Video

Rumani, Konsujt e Nderit, Asambleja diskuton për diplomacinë ekononomike

Postuar në 09 December 2015 nga Web Master

Rëndësia e diplomacisë ekonomike dhe masat për integrimin e refugjatëve nga zonat e luftës , kanë qenë temat kryesore të diskutimit të Asamblesë së Shoqatave të Konsujve të Nderit ku bën pjesë Shqipëria dhe shoqatat e vendeve të Bashkimit Europian.

Të mbledhur në Sibiu të Rumanisë përfaqësuesit e Federatës Europiane të Konsujve të Nderit kanë diskutuar rreth situatës aktuale në Europë, masat e nevojshme për trajtimin dhe integrimin e refugjatëve nga vendet në luftë si dhe rëndësinë e fuqizimit të marrëdhënieve diplomatike.

Në Asamblenë ku Shoqata Shqiptare e Konsujve të Nderit përfaqësohej nga nënkryetarja Belma Çela u diskutua mbi nevojën e një bashkëpunimi nëpërmjet trupit diplomatik dhe atij konsullor për të pasur inciativa globale paqeruajtëse si dhe për promovimin e bashkëpunimit.

Që nga krijimi i saj, dy vite më parë shoqata “Konsujt e Nderit në Shqipëri” ka qenë aktive jo vetëm në fushën e diplomacisë, por dhe në fushat e ndryshme me interes për të fuqizuar marrëdhëniet mes shteteve që Konsujt e Nderit përfaqësojnë.

Në këtë kuadër, Shoqata synon të bashkojë zërat e Konsujve të Nderit të Shqipërisë për një promovim dhe mbështetje reciproke të punës dhe aktivitetit që ata kryejnë në Shqipëri.

Shoqata Shqiptare është anëtare aktive edhe në Federatën Europiane të Konsujve të Nderit dhe në Federatën Botërore të Konsujve.