Arkiva e Etiketave | "meksike"

Tags: , , ,

Historiku i marrëdhënieve Shqipëri – Meksikë

Postuar në 19 February 2013 by Administrator

Në Nëntor të vitit 1976, Meksika i kërkoi vendit tonë përkrahje ndaj kandidaturës së ish-presidentit Eçeveria në postin e Sekretarit të Përgjithsëm të OKB-së, gjë për të cilën Shqipëria u përgjigj pozitivisht.

Në Dhjetor të vitit 1986, ish-presidenti Eçeveria vizitoi vendin tonë dhe në shtator 1987, Instituti Kombëtar Meksikan i jep Shqipërisë çmimin e parë për plotësimin në vend të ushqimit.

Në vitin 1987, pala meksikane propozoi nënshkrimin e një marrëveshje kulturore, për të cilën jepet pëlqimi nga pala jonë.

Në vitin 1989, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, gjatë kalimit transit në Meksikë, u takua me kryetarin e parlamentit, kryetarin e senatit, zëvendësministrin e Punëve të Jashme, etj. dhe në shtator të po këtij viti u nënshkrua marrëveshja kulturore midis Shqipërisë dhe Meksikës.

Në vitin 1990, kërkesës për të vizituar Meksikën të Ministrit të Jashtëm, pala meksikane i përgjigjet negativisht për shkak të angazhimeve të tjera të qeveritarëve vendas në periudhën e kërkuar. Po këtë vit, Shqipërinë e vizitoi një grup parlamentarësh meksikanë.

Në kuadrin e intensifikimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me vende të ndryshme të botës, më 1 Mars 1993, ish-Kryeministri Meksi, i dërgoi një letër presidentit të Meksikës ku i kërkonte të dërgonte një delegacion qeveritar për të parë mundësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Pala meksikane nuk iu përgjigj këtij propozimi.

Në Janar 1994, ambasadori i Meksikës në Shqipëri me rezidencë në Romë, Z. Delgato i paraqiti kredencialet Presidentit të Republikës. Me këtë rast ish-Presidenti Berisha ftoi në Shqipëri Ministrin e Punëve të Jashtme të Meksikës, si dhe Presidentin Salinas.

Z. Delgato premtoi mundësi në bashkëpunimin me Presidentin e korporatës meksikane të çimentos(e cila mban vendin e dytë në botë për nga madhësia), si dhe për të nënshkruar një marrëveshje tregtare midis të dy vendeve tona.

Në Nëntor 1994 vjen në Shqipëri për të paraqitur letrat kredenciale ambasadori i ri meksikan në Shqipëri, me rezidencë në Romë, Z. Palencia.

Në Gusht 1996, paraqiti letrat kredenciale në Meksiko, ish-ambasadori ynë në Uashington, Z. Lublin Dilja. Gjatë takimit me Presidentin e Meksikës Dr. Ernesto Zedillo Ponce de Leon, ky i fundit në përgjigje të ftesës së kortezisë të Presidentit Berisha, tha se do të mirëpriste një vizitë zyrtare të Presidentit shqiptar në Meksikë. Gjithashtu edhe Ministri i Jashtëm i Meksikës, Dr. Angel Gurria ra dakord për të vizituar Shqipërinë në gjashtëmujorin e parë të 1997.

Me rastin e Festave tona Kombëtare, ambasadori meksikan Z. Mario Moya Palencia, vizitoi Shqipërinë në Nëntor 1998. Në takimin e parë që pati me ish-Ministrin e Jashtëm Milo, ambasadori Palencia shprehu dëshirën e palës meksikane për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe. Gjithashtu, në kuadrin e vizitës tur të ish- Ministrit Milo në Amerikën Latine, ai e cilësoi plotësisht të realizueshme edhe një vizitë në Meksikë.

Në vitin 2000, duke vijuar mbulimin tonë nga Uashingtoni, u akreditua në Shtetet e Bashkuara Meksikane ambasadori ynë atje, Z. Petrit Bushati.

Në Korrik 2001, ambasadori meksikan rezident në Romë, Rafael Tovary de Teresa, u akreditua në Tiranë pas paraqitjes së Letrave Kredenciale, ish-Presidentit Mejdani.

Në Maj 2003 ish-Ambasadori ynë në Uashington, Z. Fatos Tarifa, i paraqiti Letrat Kredenciale ish-Presidentit Vicente Fox Quesada.

Po ashtu gjatë vitit 2003, nga Presidenti dhe Ministri i Jashtëm i Meksikës, janë ftuar Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, për të marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga pala meksikane në bashkëpunim me OKB-në, siç ishin Forumi i 5-të Global “Novacioni dhe cilësia në qeverisje në shekullin e 21-të” (3-7 Nëntor 2003) dhe Konferenca Politike e Nivelit të Lartë kundër Korrupsionit (9-11 dhjetor 2003). Në të dy aktivitetet pala shqiptare nuk u përfaqësua.

Nga 18-23 Prill 2004, ish Kryeparlamentari Servet Pëllumbi, mori pjesë në Asamblenë e Unionit Ndërparlamentar që zhvilloi punimet në Mexico City. Me këtë rast ai u takua dhe me personalitete meksikane.

Meksika mbështeti kandidaturën e Shqipërisë në ECOSOC (Këshillin Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara), në Shtator 2004.

Në sesionin e 24-ët të Asamblesë së Organizatës Ndërkombëatre Detare (IMO), Dhjetor 2005, Shqipëria mbështeti kandidaturën e Meksikës (Kategoria C) Për Këshillin e kësaj organizate.

Gjatë viteve të funditmarrëdhëniet me Meksikën kanë patur karakter kortezie. Janë shkëmbyer mesazhe urimi me rastet e Festave Kombëtare dhe emërimet në detyrë.

Meksika, aktualisht e mbulon shqiperinë nga ambasada e saj ne Romë nëpërmjet e ambasadorit Miguel Ruiz Cabanas.